Vendi vuan mungesën e ujit, por investimet në ujësjellës-kanalizime ngecin edhe në 2026
Në një kohë kur mungesa e ujit të pijshëm vijon të prekë qendrat urbane dhe shumë zona të vendit, investimet publike në rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve po ecin me ritme të ngadalta.

Nga 14.38 miliardë lekë të programuara për vitin 2026, deri në fund të korrikut ishin shpenzuar vetëm 4.39 miliardë lekë, ose 30.5 për qind e fondit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Të dhënat buxhetore tregojnë se projektet që duhet të përmirësojnë furnizimin me ujë dhe infrastrukturën e kanalizimeve nuk po zbatohen me ritmin e planifikuar. Që buxheti të realizohet i plotë deri në fund të dhjetorit, institucionet përgjegjëse duhet të shpenzojnë mesatarisht rreth 2 miliardë lekë në muaj, një ritëm më shumë se tri herë më i lartë se mesatarja mujore e periudhës janar–korrik.
201 projekte pa asnjë shpenzim deri në korrik
Problematika bëhet më e dukshme në nivel projektesh. Nga 284 projekte me buxhet të miratuar për këtë vit, 201 nuk kishin regjistruar asnjë shpenzim deri në fund të korrikut 2026. Për këto projekte ishin parashikuar gjithsej rreth 6.8 miliardë lekë, të barasvlershme me 47.6 për qind të fondit të përgjithshëm.
Vonesat marrin rëndësi të veçantë në kushtet kur një pjesë e qyteteve dhe zonave të vendit vazhdon të mos ketë furnizim të pandërprerë me ujë. Investimet e parealizuara lidhen me ndërtimin dhe rikonstruksionin e ujësjellësve, zgjerimin e rrjeteve të kanalizimeve dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura.
Shoqëritë rajonale përdorën vetëm 19.2 për qind të fondeve
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve paraqiti nivelin më të lartë të realizimit ndër institucionet kryesore. Deri në korrik, Agjencia kishte shpenzuar rreth 2.9 miliardë lekë nga 6.08 miliardë lekë të programuara, ose 47.7 për qind.
Shumë më e dobët ishte ecuria e Shoqërive Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve. Nga 6.54 miliardë lekë në dispozicion, ato kishin përdorur vetëm 1.26 miliardë lekë, ose 19.2 për qind të fondit. Këto shoqëri kanë rol të drejtpërdrejtë në administrimin e sistemeve të furnizimit, reduktimin e humbjeve dhe përmirësimin e shërbimit, ndërsa ritmi i ulët i investimeve kufizon ndërhyrjet në rrjetet e amortizuara dhe shtyn zgjerimin e shërbimit në zonat me furnizim të pamjaftueshëm.
Në disa bashki, projektet nuk kishin regjistruar asnjë shpenzim. Në Vlorë, Patos, Bulqizë, Has dhe Mallakastër, fondet e papërdorura arrinin së bashku në mbi 1.17 miliardë lekë. Bashkia e Vlorës kishte rreth 659 milionë lekë të programuara, por realizimi deri në korrik ishte zero. Patosi kishte në dispozicion 281 milionë lekë, ndërsa Bulqiza rreth 116 milionë lekë, gjithashtu pa shpenzime të regjistruara.
Vlora merr një pjesë të madhe të investimeve
Projekti më i madh në program është “Infrastruktura Bashkiake V (Kredi)”, me një fond prej rreth 1.02 miliardë lekësh. Për të ishin shpenzuar afro 760 milionë lekë, ose 74.3 për qind e buxhetit. Ecuri të mirë shënoi edhe projekti për furnizimin me ujë të zonave bregdetare, ku deri në korrik ishin përdorur rreth 274.7 milionë lekë nga 301.2 milionë lekë të programuara, me realizim 91.2 për qind.
Për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve nga Lungomare drejt impiantit të trajtimit u shpenzuan rreth 176.2 milionë lekë nga një fond prej 320.7 milionë lekësh, ose 54.9 për qind. Megjithatë, disa investime me peshë të konsiderueshme financiare nuk kishin nisur ende.
Pa realizim financiar rezultonte rikonstruksioni i ujësjellësit në 15 fshatra të Vlorës, për të cilin ishin parashikuar rreth 346.1 milionë lekë. Po ashtu, asnjë shpenzim nuk ishte regjistruar për ujësjellësin e zonës së Ujit të Ftohtë dhe Lungomares, me një buxhet prej 301.4 milionë lekësh.
Të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e investimeve në këtë fushë është përqendruar në qarkun e Vlorës, ndërkohë që fshatra dhe qytete të tjera në vend vijojnë të përballen me probleme të furnizimit me ujë. Ritmi i ulët i realizimit të fondeve gjatë shtatë muajve të parë të vitit shton presionin mbi institucionet për të përshpejtuar investimet deri në fund të 2026-s.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)